Rrugën për vendlindje zgjedhin ta përshkojnë përmes një terreni jo fort të përshtatshëm.
Edhe këtë verë, shumë mërgimtarë zgjedhin transitin përmes Serbisë për të arritur në Kosovë, pavarësisht thirrjeve që kanë institucionet që kjo rrugë të shmanget.
Arsyeja lidhet me arrestimet që autoritetet serbe kanë kryer ndër vite, shpesh nën pretendime të pabazuara.
Numri i saktë i të arrestuarve në dy vitet e fundit nuk figuron me statistika të plota, por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha për televizionin se nga viti 2025 janë evidentuar katër raste në të cilat autoritetet serbe kanë iniciuar procedura penale ndaj shtetasve të Kosovës, me akuza që lidhen me krime lufte.
Sa i përket rastit të fundit, atij të Osman Selmanit në Mutivodë, Ministria thotë se ka aktivizuar mekanizmat diplomatikë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës “Sa i përket rastit më të fundit të arrestimit të shtetasit të Republikës së Kosovës, O. S. menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka informuar menjëherë misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për arrestimin e shtetasit O. S. dhe procedurat e iniciuara ndaj tij nga autoritetet serbe. Në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë është kërkuar angazhim dhe ushtrim i ndikimit të tyre ndaj autoriteteve serbe për trajtimin e drejtë të rastit dhe lirimin e tij”.
