Serbët në Mitrovicë janë thirrur të marrin pjesë në një tubim në përkrahje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe pushtetit të tij, që do të mbahet këtë të shtunë nga ora 18:30 deri në ora 19:30.
Sipas organizatorëve, “Shoqata e Pensionistëve të Bashkuar”, ky organizim mbahet me qëllim mbështetjeje për “paqen dhe tolerancën”.
Në lidhje me këtë ngjarje, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në Mitrovicën e Veriut ka thënë se janë njoftuar disa ditë më parë për këtë tubim. Elshani shtoi se zyrtarët policorë do të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e protestës dhe se do të jenë në numër të mjaftueshëm.
“Në parim, ne asnjëherë nuk i ndalojmë tubimet publike, që janë për paqe dhe tolerancë, veçanërisht ato që supozohet të jenë pa dhunë. Mbledhja, tubimi dhe fjala e lirë janë të garantuara me Kushtetutë, kështu që nuk kemi diçka kundër saj”, ka thënë Elshani në Klan Kosova.