Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar katër persona nën dyshimet për keqpërdorim gjatë testit për patentë shofer.
Ndalimi i tyre është bërë, pasi forcat e rendit kanë njoftuar se kanë ndërmarrë veprime operative dhe hetimore lidhur me dyshimet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me qëllim të ndihmës së kandidatëve për kalimin e testit me shkrim për patentë shofer.
Sipas njoftimit, këto veprime janë kryer bga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë-Jug.
Në njoftim thuhet se hetimet, të cilat kanë filluar në bazë të informacioneve të pranuara, kanë rezultuar me sigurimin e provave dhe informacioneve që ngrenë dyshime të arsyeshme se persona të caktuar, në bashkëveprim, kanë përdorur pajisje të ndryshme telekomunikuese dhe teknologjike për t’iu mundësuar kandidatëve marrjen e përgjigjeve nga distanca gjatë testimit.
“Në kuadër të zhvillimit të mëtejmë të hetimeve, më 31 gusht 2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacione lidhur me dyshimin se disa kandidatë do të hynin në testin me shkrim për patentë shofer duke përdorur pajisje të komunikimit. Pas ndërmarrjes së veprimeve të menjëhershme policore, është ndaluar një automjet, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar pajisje të dyshuara për përdorim gjatë testimit.”, thuhet në njoftim.
