Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ka paralajmëruar grevë dhe masa të tjera sindikale nëse deri më 20 shtator të këtij viti nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ndër kërkesat kryesore të SBASHK-ut janë negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive, rritja e vlerës së koeficientit, si dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës, bashkë me çështje të tjera që lidhen me të drejtat dhe kushtet e punëtorëve të arsimit.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka thënë për KosovaPress, se nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me MASHT-in, sindikata do ta thërrasë këshillin drejtues për të shqyrtuar situatën dhe mund të ndërmarrë veprime sindikale, përfshirë edhe grevën.
“Kur flasim për çështjen e mësimdhënësve dhe çështjen e kërkesave të SBASHK-ut, ne më herët e kemi mbajtur një kongres të jashtëzakonshëm, kongresin e nëntë. Në kongres është marrë një vendim si organi më i lartë i SBASHK-ut që nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, atëherë do të mblidhet këshilli drejtues si organ më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve dhe do ta analizojë gjendjen dhe pastaj mund të shkohet edhe me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën”, thotë Shala.
Derisa përmend kërkesat kryesore të SBASHK-ut, Shala potencon se rritja e pagave për 55 euro është simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve.
“Kërkesat e SBASHK-ut janë… negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive. Po ashtu, është kërkesë edhe ngritja e vlerës së koeficientit. Tashmë veçse janë bërë dy vite që nuk është ngritur vlera e koeficientit në ligjin e pagave edhe përkundër rritjes së inflacionit. Kemi një rritje të rangimit të koeficientit që është një ngritje prej 55 eurove, që është shumë simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve të produkteve elementare për jetesë. Është edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku nga korriku i vitit 2024 është dashur të zbatohet një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës për 15 vitet e para, që është duke u paguar me 0.25 për qind e vendimi i gjykatës është që të paguhet 0.5 për qind”, potencon Shala.
Shala thekson se SBASHK-u ka dorëzuar një iniciativë legjislative qytetare për ndryshimin e ligjit të skemave pensionale të financuara nga shteti. Kjo iniciativë, siç thotë ajo, synon që vitet e punës së mësimdhënësve gjatë periudhës 1990–1999, të cilat aktualisht nuk llogariten si vite kontributdhënëse, të njihen si të tilla.