Nga 8 deri më 11 tetor, sulmet me dronë ukrainas goditën tri qendra të të dhënave të gjigantit rus Yandex, duke ndërprerë shërbime digjitale dhe duke prekur kompani që mbështeteshin në infrastrukturën e tij.
Si mundet dëmtimi i disa ndërtesave të shkaktojë ndërprerje kaq të gjera dhe sa e përgatitur është Kosova për një incident të tillë? Dy ekspertë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë ngrenë shqetësime për aftësinë e institucioneve që t’i rikthejnë shërbimet digjitale pas dëmtimeve serioze.
Çfarë janë qendrat e të dhënave?
Imagjinoni një ndërtesë plot me kompjuterë të fuqishëm, të quajtur serverë, që ruajnë informacione dhe mundësojnë funksionimin e shërbimeve digjitale. Kjo është, thënë thjesht, një qendër e të dhënave.
Në Kosovë, shumica e të dhënave institucionale ruhen në Qendrën e të Dhënave Shtetërore, ndërsa disa edhe në serverët e institucioneve të veçanta, thotë ish-drejtori i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), Kujtim Gashi. Sipas një rregulloreje të vitit 2016, kopjet rezervë të regjistrave elektronikë shtetërorë duhet të ruhen në qendrën shtetërore.
Këto të dhëna përfshijnë informacione personale të qytetarëve dhe mundësojnë edhe funksionimin e shërbimeve digjitale, si portali e-Kosova, përmes të cilit qytetarët aplikojnë për dokumente dhe përfitime të ndryshme.
Nëse kjo qendër dëmtohet nga një sulm kibernetik, zjarr ose ndërprerje e energjisë elektrike, ekzistojnë dy rreziqe: ndërprerja e shërbimeve digjitale, si ato që ofrohen përmes e-Kosova, dhe humbja e të dhënave, nëse nuk ekzistojnë kopje rezervë të përdorshme.
Për këtë nevojiten kopje rezervë të informacioneve dhe një qendër tjetër, fizikisht e ndarë, që mund të rikthejë funksionimin e sistemeve. Ajo njihet si Qendra për Rikuperim nga Fatkeqësitë (DRC).
Çfarë gjetën auditorët?
Në shtator 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) konstatoi se ASHI nuk ishte e përgatitur për rikthimin e shërbimeve elektronike të platformës e-Kosova në raste emergjente.
Sipas ZKA, mungonte një plan i dokumentuar dhe i testuar për rikuperimin e sistemeve, nuk kishte qendra rezervë funksionale dhe kopjet ekzistuese rezervë ishin të pamjaftueshme për rikuperim të sigurt dhe në kohë.
Auditorët evidentuan edhe politika të vjetruara sigurie, mungesë procedurash për kufizimin e qasjes në sisteme dhe dobësi në kontrollin e aplikimeve e pagesave. Ata dhanë gjithsej 15 rekomandime.
Gashi thotë se projekti për ndërtimin e një qendre DRC, së bashku me lokacionin dhe fondet, ishte finalizuar gjatë mandatit të tij, më 2020, por më pas ishte pezulluar.


