Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rreziku nga infeksioni me Hantavirus për qytetarët në Kosovë dhe në vendet e BE/EEA vlerësohet shumë i ulët, pavarësisht rasteve të fundit të raportuara në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 6 maj 2026 janë raportuar shtatë raste me Hantavirus në një anije kroçierë, përfshirë tre viktima, ndërsa në disa mostra është konfirmuar virusi Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.
IKSHPK thekson se transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk përhapet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë zbatuar masa parandaluese në anije, ndërsa rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet shumë i ulët.
Instituti bën të ditur se ethet hemorragjike me sindromë veshkore, të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë dhe numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Gjatë periudhës 2021–2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej tetë raste.
