Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar raportimet se do të reduktohet prania e trupave të saj në Kosovë.
Duke folur para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të kësaj aleance, Rutte një gjë të tillë e ka cilësuar si një lajm të mirë.
Ai ka thënë se reduktimi i pranisë së NATO-s në Kosovë vjen si pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë.
“Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, ka thënë Rutte.
