Një rund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – në nivel kryenegociatorësh – pritet të mbahet sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Takimi do të zhvillohet pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar dhe mësohet se i dërguari i bllokut do të zhvillojë bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Më pas pritet edhe një takim trepalësh mes tyre.
Mësohet se në agjendë të rundit të ri do të jetë Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën kishin arritur pajtueshmëri më 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq.
Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.
Takimi i parë ishte paraparë të mbahej në janar, por pala serbe nuk pranoi të merrte pjesë për shkak të veprimeve për mbylljen e zyrave që mbështeten nga Serbia në Kosovë.
Takimi i sotëm pritet të jetë i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen tha lidhur me dialogun se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.
“Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen në Prishtinë.
