Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë protestuar këtë të martë para objektit të Radio Televizionit të Kosovës, si reagim ndaj mosekzekutimit të plotë të pagave për punëtorët e këtij institucioni.
Përfaqësuesi i sindikatave, Veton Rugova, në emër të punëtorëve të RTK-së, i kërkoi bordit drejtues që menjëherë të sigurojnë pagesën e plotë të pagave dhe të japin përgjigje të plotë për punëtorët.
“Kemi mbajtur gjallë transmetuesin publik me profesionalizëm dhe përkushtim . sot, pikërisht ata njerëz që kanë mbajtur RTK-në në këmbë, po përballen me pasiguri për pagat e tyre, kjo është e padrejtë dhe e papranueshme. Pas çdo punëtori të RTK-së qëndron një familje, paga nuk është luks, paga është mjeti me të cilën mbajmë familjet tona dhe sigurojmë jetesën. Ne nuk kërkojmë privilegje, ne nuk kërkojmë favore, kërkojmë vetëm atë që na takon me ligj”, tha Rugova.
