Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, është optimist se të mërkurën (11 shkurt) do të konstituohet legjislatura e dhjetë e Kuvendit, si dhe do të formohet qeveria e re. Megjithatë, ai nuk tregon se si do të veprojnë në zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ai për KosovaPress thotë se nuk mund t’i parashohë dinamikat e seancës konstituive, megjithatë thotë se u mbetet deputetëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.
“Po, pas konstituimit të Kuvendit, menjëherë hapet mundësia dhe procedura për zgjedhjen e qeverisë. Natyrisht, parashihen disa veprime, siç është caktimi i mandatarit dhe dekretimi i mandatarit për kryeministër nga ana e Presidentes së Republikës. Unë nuk e di a përmbushet kjo brenda ditës apo jo. Teorikisht është e mundshme, domethënë ka ndodhur në vitin 2021, por mbetet të shihet. Mbetet të shihet procesi i konstituimit dhe besoj që pas konstituimit do të jenë menjëherë veprimet tona të shpejta: zgjedhja e qeverisë dhe pastaj kalimi tek miratimi i buxhetit të shtetit për këtë vit”, deklaron Rrustemi.
Ai kërkon nga Kryesia e vjetër e Kuvendit, e cila do të mblidhet sot, që t’i përcaktojë modalitetet për mbarëvajtjen e seancës konstituive.
Deputeti i LVV-së thotë se aty duhet të përcaktohet verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve shqiptarë, si dhe zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë, në pako apo ndaras.
“Nuk mund t’i parashoh dinamikat e Kuvendit në seancën e nesërme. I mbetet gjithsesi Kryesisë së vjetër për të diskutuar dhe për të përcaktuar modalitetet se si e sheh procesin e konstituimit ditën e nesërme dhe modalitetet e votimit. Dhe në anën tjetër i mbetet natyrisht deputetëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Po, ajo që e dimë tashmë është që Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet dhe nuk mund të kalohet në faza të tjera, siç është zgjedhja e qeverisë apo miratimi i buxhetit, për sa kohë nuk kemi konstituim të Kuvendit. E në anën tjetër kemi, siç e dini edhe ju dhe opinioni publik, një periudhë të shkurtër të veprimeve të shpejta, intensive dhe të rëndësishme. Deri më 5 mars duhet të përmbyllet konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e qeverisë, miratimi i buxhetit, Plani i Rritjes dhe padyshim edhe zgjedhja e presidentit apo presidentes së Republikës”, potencoi Rrustemi.
