Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit të partisë së vet, ka thënë se nga ky vit do të nisë përcaktimi me ligj i pagës së 13-të, derisa shtoi se do të synohet edhe rroga e 14-të.
“Pas dialogut me sektorin privat, synimi ynë është që në bashkërendim me bizneset dhe me punëtorët ta planifikojmë gradualisht edhe pagën e 14-të”, deklaroi Kurti.
Rreth këtij premtimi u deklarua kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai e cilësoi këtë zotim si të tepruar.
“Po them mos është tepruar. Nga këndi im nuk është më tepër se sa çmenduri. Ai premtimin për rrogën e 13-të e ka mbajtur, por të njëjtin kemi pritur që do të ndodhë për sektorin privat, por kjo nuk ka ndodhur. Kemi pritur që të paktën do të mbështetemi me gjysmën e pagës. Tani del thotë se do t’i stimulojmë punëtoret e sektorit privat me nga 100 euro”, tha Azemi për Klankosova.tv.
“Tash nëse ndodh paga e 14-të, kjo i bie që punëtorët e sektorit privat paguhen 15 herë më pak se punëtorët e sektorit publik, ndërkaq ne jemi financues tri herë më i madh i buxhetit se punëtorët e sektorit publik”, theksoi ai.
