Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një analize rreth ngjarjeve klimatike, ka njoftuar se muaji korrik i vitit 2025 ka shënuar një valë ekstreme të të nxehtit, me temperaturat që kanë shënuar rekord.
Vlerat maksimale janë shënuar në Klinë me 42.4 gradë Celsius, dhe 42.3 gradë Celsius në Han të Elezit.
“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive. Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, njofton IHMK.
