Rritja e çmimeve të karburanteve në tregun me pakicë, ka nxitur sërish qeveritë e vendeve të rajonit të ndërhyjnë përmes uljes së akcizës së naftës. Shqipëria, edhe pse ka çmimet më të larta në rajon, nuk ka njoftuar deri tani masa të reja në këtë drejtim.
Nafta në tregun shqiptar shitet prej rreth një jave me 219 lekë për litër. Në monedhën europiane, kjo vlerë përkthehet në rreth 2.3 euro për litër, ndërsa në korrik çmimi ishte 2.06 euro.
Benzina aktualisht kushton rreth 2.1 euro për litër.
Brenda këtij intervali, çmimi i naftës në Shqipëri është rritur me rreth 0.24 euro, ose 21 lekë për litër, në raport me muajin korrik.
Krahasimi i të dhënave të mbledhura nga korrespondentët e Monitor në vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se karburantet në Shqipëri vazhdojnë të tregtohen në nivele dukshëm më të larta.
Kjo ka rikthyer diskutimin për mundësinë e reduktimit të taksave mbi karburantet.
Nafta shqiptare është 41% më e shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, ku regjistrohet çmimi më i ulët në rajon. Ajo kushton gjithashtu 17% më shumë se në Serbi, e cila renditet e dyta për çmimin më të lartë pas Shqipërisë.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, çmimi në Shqipëri është 30% mbi mesataren rajonale prej 1.77 lekë për litër.
Niveli i lartë i çmimeve në Shqipëri lidhet kryesisht me barrën më të rëndë fiskale që rëndon mbi naftën.
Në vendet e rajonit çmimi zakonisht ndërtohet mbi bazën e çmimit fillestar, akcizës dhe TVSH-së së aplikuar mbi shumën e tyre. Në Shqipëri, përveç akcizës prej 0.37 euro për litër dhe TVSH-së 20%, konsumatorët paguajnë edhe dy taksa të tjera.
Bëhet fjalë për taksën e qarkullimit, në masën 27 lekë për litër, dhe taksën e karbonit, prej 3 lekësh për litër. Si pasojë, komponenti fiskal përbën rreth 50% të çmimit, ose afërsisht 100 lekë për litër.
Me gjithë rritjen e çmimeve, qeveria shqiptare nuk ka bërë të ditur deri tani ndonjë masë të re fiskale që synon uljen e tyre.
Në mars u miratua një vendim për reduktimin me 20% të akcizës së karburanteve në rast se çmimi me pakicë i naftës do të kalonte 220 lekë për litër. Për benzinën, kjo masë aktivizohet kur çmimi kalon 200 lekë për litër.
Zbatimi i këtij mekanizmi ka qenë i kufizuar. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi më herët në një seancë të Kuvendit se masa ishte përdorur dy herë, ndërsa efekti financiar ishte përllogaritur në 37 mln lekë, ose rreth 400 mijë euro.
Mali i Zi ka ndërmarrë një tjetër ulje të akcizës.
Në Malin e Zi, çmimi i naftës referencë “Eurosuper 98” ka shkuar në 1,79 euro për litër, ndërsa eurodieseli kushton 1,87 euro për litër dhe benzina 1,76 euro për litër.
Në krahasim me korrikun, nafta është shtrenjtuar me 0.11 deri në 0.21 euro për litër.
Pas kësaj rritjeje, qeveria malazeze reagoi sërish me masa fiskale. Më 25 Gusht u vendos ulja e akcizës së naftës me 20% dhe e benzinës pa plumb me 5%. Akcizat e reja do të zbatohen deri më 5 Shtator.

