Interesimi për karrierë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të rritet. Në konkursin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, 234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende kadetësh, duke e bërë garën një nga më konkurrueset e viteve të fundit dhe duke reflektuar rritjen e besimit ndaj institucioneve të sigurisë së vendit.
234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende të hapura për kadetë në Forcën e Sigurisë së Kosovës nga 1 qershori deri më sot, kur ka përfunduar edhe afati për aplikim. Konkursi i hapur nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja përfshin pranimin e kadetëve për studime në Qendrën e Studimeve Universitare, si dhe në akademitë ushtarake të Turqisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me mbi pesë kandidatë që konkurrojnë për një vend, interesimi konsiderohet ndër më të lartit në vitet e fundit.
Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë se ky interesim i madh dëshmon besimin e të rinjve në institucionet e sigurisë dhe atraktivitetin në rritje të profesionit ushtarak. Për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, ky është tregues i qartë i përkushtimit të gjeneratave të reja për t’i shërbyer vendit dhe për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, njohës të çështjeve të sigurisë e vlerësojnë interesimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si një zhvillim pozitiv për sigurinë dhe të ardhmen e vendit. Profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku, tha se rritja e interesimit për t’iu bashkuar FSK-së tregon ngritje të vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e këtij institucioni.
