Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka pranuar një video nga një qytetar, në të cilën shihej një burrë duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje në qytetin e Pejës.
Pas pranimit të videos, Prokuroria tha se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar menjëherë Policinë e Kosovës për identifikimin e personit të dyshuar dhe të viktimës, si dhe për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe ligjore.
“Hetuesit e Stacionit Policor në Pejë kanë shoqëruar në polici personin e dyshuar dhe viktimën, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme procedurale”.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.
