Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka deklaruar se mbështetja e deklaratës së përbashkët të Kuvendit për aktgjykimin denues te Gjykatës Speciale, pa mbështetur edhe ligjin që synon adresimin e padrejtësive të mundshme, nuk ka kuptim.
Rrahmani i bëri këto deklarata në një bisedë në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit, ku u diskutua për miratimin e deklaratës së përbashkët të Kuvendit të Kosovës, 12 ditë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka falënderuar deputetët që e mbështetën deklaratën, por ka theksuar se ajo nuk ka efekte juridike në procesin gjyqësor.
“Falënderoj gjithë deputetët që e kanë mbështetur një deklaratë të përbashkët. Kjo deklaratë nuk ka efekte juridike për procesin, por është thjesht një deklarim i përbashkët për krejt atë që ka ndodhur”, ka thënë Rrahmani.
Ai ka shtuar se seanca është vonuar për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive politike, duke paralajmëruar se mund të ketë edhe pozicionime të ndryshme politike lidhur me hapat e ardhshëm.



