Mospjesëmarrja e LDK-së në procesin e votimit të Rezolutës së propozuar të PDK-së në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka nxitur reagime të shumta e akuza në drejtim të partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.
Lidhur me këtë ka folur deputeti i LDK-së, Anton Quni. Ai ka thënë kjo situatë është shfrytëzuar për ta goditur LDK-në politikisht, meqë sqaron se partia e tij ishte e gatshme ta përkrahte rezolutën nëse do të përfshihej edhe amandamenti i kërkuar nga LDK.
“Ishte një rast i shkëlqyer që të gjitha partitë shqiptare të unifikoheshin rreth një teksti që nderon luftën tonë çlirimtare, por edhe garanton se asnjë krim i pazbuluar nuk do të mbetet peng i agjendave politike.Përpjekja për ta paraqitur kushtëzimin tonë parimor si “mosperkrahje” është një tendencë e pastër për goditje politike. Megjithatë, për LDK-në, drejtësia nuk mund të jetë selektive”, ka thënë Quni për Express.
Ai ka thënë se tejkalimi i pozicioneve të vjetra bëhet vetëm duke u ballafaquar me të vërtetën e plotë.
“Besojmë fuqishëm se tejkalimi i pozicioneve të vjetra arrihet vetëm duke u ballafaquar me të vërtetën e plotë. Ne jemi për një Kosovë ku drejtësia vepron mbi parimet e paanësisë dhe barazisë para ligjit për çdo qytetar”, ka potencuar deputeti i LDK-së.
