Një punim shkencor me autorë Jana Arsovskën dhe Dimal Bashën i botuar në vitin 2012 e në të cilin flitej zi e terr për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur një debat të madh në Kosovë. Kjo pasi që bashkautori i punimit, Dimal Basha, tashmë ishte zgjedhur edhe në krye të Kuvendit të Kosovës.
Duke parë gjithë reagimet, Basha kishte vendosur që të dilte me një sqarim, duke provuar ta distanconte veten nga shkrimi.
Basha pretendonte se ishte autor vetëm i pjesës së tretë të punimit dhe se s’kishte përgjegjësi për kapitujt ku shkruhej se si UÇK ishte financuar nga para të krimit e drogës.
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, drejtori i Revistës “Revue Etudes Caribéennes” e universitetit francez “Université des Antilles”, Olivier Dehoorne, ku Arsovska e Basha e kanë publikuar punimin e tyre, thotë se sa i përket përgjegjësisë së autorëve, në kuadër të nivelit akademik, botimi konsiderohet si i përbashkët.
“Në nivel akademik, ky botim konsiderohet si një bashkë-botim”, ka thënë për Express Olivier Dehoorne.
Dehoorne tutje shton se kur një punim dorëzohet kolektivisht, revista nuk merret me pjesë specifike të punimit, se kush, çfarë ka shkruar.
