Pas temperaturave historike në Evropën Perëndimore, vala e të nxehtit po godet tashmë Gjermaninë, Poloninë, Çekinë dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore, ndërsa autoritetet paralajmërojnë rrezik të lartë për shëndetin dhe zjarre
Vala e jashtëzakonshme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën prej më shumë se një jave po vazhdon të lëvizë drejt lindjes, duke thyer rekorde të reja temperaturash dhe duke vënë në alarm autoritetet në shumë shtete. Pas Britanisë së Madhe, Francës dhe Zvicrës, tani në fokus janë Gjermania, Polonia, Çekia, Sllovakia dhe vende të tjera të Evropës Qendrore e Lindore.
Sipas meteorologëve, rreth 193 deri në 200 milionë njerëz janë ekspozuar ndaj temperaturave mbi 35°C, ndërsa në disa zona termometri ka kaluar edhe 40°C. Gjermania ka regjistruar një rekord të ri kombëtar prej 41.5°C, ndërsa Çekia, Danimarka dhe Zvicra kanë shënuar gjithashtu temperatura historike, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
