Islandezët kanë votuar për të qëndruar jashtë Bashkimit Europian, raportoi të dielën transmetuesi RUV, duke refuzuar nismën e qeverisë për t’i rihapur bisedimet për anëtarësim dhe duke u rreshtuar me ata që thanë se ujërat e peshkimit të Islandës ishin tepër të rëndësishme për t’u vënë në rrezik, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Një votë “jo” do ta zhgënjejë Brukselin, pasi disa zyrtarë e kishin cilësuar Islandën si një rast me rrezik të ulët, që mund të ndihmonte në zbutjen e skepticizmit ndaj zgjerimit të BE-së dhe në forcimin strategjik të bllokut në një kohë kur siguria në Arktik është në fokus.
Qeveria e kishte paraqitur planin e anëtarësimit si një moment “o sot o kurrë”, ndërsa kryeministrja Kristrum Frostadottir u tha votuesve në gusht se një “jo” do t’i jepte fund të gjitha spekulimeve për BE-në.
Aktivistët e fushatës pro “po”-së kanë thënë se anëtarësimi në bllok mund t’i ulte normat e larta të interesit dhe të ofronte më shumë siguri në një botë të tronditur nga lufta në Ukrainë dhe retorika e presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e një ishulli tjetër të Arktikut, Grenlandës.
