Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se u ka dërguar kërkesë zyrtare autoriteteve të Kroacisë për sigurimin e provave në lidhje me arrestimin e shtetases serbe të Republikës së Kosovës, ndaj të cilës dhe partnerit të saj, Prokuroria e Qarkut në Split ka hapur hetim për spiunazh.
Prokuroria njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme në përputhje me marrëveshjet për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.
“Lidhur me arrestimin e një shtetaseje të Republikës së Kosovës në Kroaci, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është në kontakt me autoritetet përkatëse. Tashmë Prokuroria u ka dërguar kërkesë zyrtare për sigurimin e provave autoriteteve të Kroacisë, në përputhje me marrëveshjet për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Prokuroria Speciale do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në lidhje me këtë çështje”, kanë thënë për RTK-në nga Prokuroria Speciale.
Pas arrestimit të Ana Murganiq, nga Mitrovica e Veriut, dhe të dashurit të saj, pilot në Ushtrinë Kroate dhe pjesëtar i KFOR-it në Kosovë, organet e drejtësisë së shtetit kroat kanë vendosur për 30 ditë paraburgim. Ata u arrestuan nën dyshimin se kanë transmetuar informacione te Lista Serbe për zhvillimet në veri të Kosovës.
Megjithatë, sipas mediave kroate, skandali është edhe më i madh. Përveç mesazheve të zbuluara me të dhëna konfidenciale për KFOR-in, janë përfshirë edhe informacione të tjera sekrete. Gazeta Večernji list raportoi se Murganiq kishte qenë pjesë e EULEX-it dhe UNMIK-ut, dhe dyshohet se ishte infiltruar nga shërbimet sekrete serbe për të ndikuar në gjykimet kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Fillimisht prokuroria kroate ka deklaruar se kërkoi masën e paraburgimit për shtetasin kroat për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale, ndërsa për shtetasen serbe për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit dhe përsëritjes së mundshme të veprës.
Gjykata e Qarkut të Splitit nuk ka dhënë më shumë detaje përveç se hetimi është sekret.
“Sipas ligjit dhe vetë natyrës së procedurave, hetimi është sekret, por sa i përket nivelit të sekretit, sinqerisht nuk e di. Dënimi për spiunazh, konkretisht për atë për të cilën akuzohet shtetasi kroat, është midis një dhe dhjetë vjet burg, ndërsa për akuzat e tjera është nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”, ka thënë Neven Cambj, zëdhënës i Gjykatës së Qarkut të Splitit.