Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar sërish në podkastin “Flasim” për pallatin që u dogj në Tiranë, duke prekur dhjetëra familje.
Ai ka njoftuar se deri në momentin ku apartamentet e tyre të rregullohen ata mund të përfitojnë bonus qiraje dhe mbështetje nga Bashkia e Tiranës për të përballuar shpenzimet.
“Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës realisht profesionale, por mbi të gjitha heroike të forcave të zjarrfikësve, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda.
Ndërkohë, çka mbeti pas zjarrit ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, sipas meje, është që godina do të rindërtohet tërësisht nga e para, 100% nga vetë ndërtuesi i saj dhe nga ana tjetër, angazhimi për të ndihmuar banorët që, deri në momentin – dhe besoj nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty – por deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre.
