Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pasi një nga ministret e Qeverisë së Serbisë, ka thënë se nëse do të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo deklaratë është artikulim i hapur i një ideologjie që prodhon luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
“Kjo është fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe është relativizim dhe legjitimim i një prej krimeve më të rënda që njeh e drejta ndërkombëtare. Është alarmuese që, më shumë se dy dekada pas luftës, një anëtare e kabinetit qeveritar të Serbisë flet me këtë gjuhë, për një nga aktet më makabre e kriminale të shekullit të kaluar. Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e ideologjive të spastrimit etnik. Prandaj, çdo heshtje përballë një deklarate të tillë është një precedent i rrezikshëm. Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota demokratike duhet ta dënojnë pa ekuivok këtë retorikë!”, ka shkruar Rama.
