Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me debatet dhe akuzat për financimin e koncertit të artistit amerikan Kanye West në Tiranë, duke mohuar pretendimet se shteti ka shpenzuar 50 milionë euro për organizimin e eventit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama i cilësoi këto pretendime si “gënjeshtër” dhe “shpifje”, ndërsa sqaroi se koncerti ishte parashikuar të financohej nga sponsorët dhe të ardhurat nga shitja e biletave.
Sipas Ramës, qeveria fillimisht kishte firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritëse e aktivitetit, ku garantonte sigurinë dhe mbështetjen logjistike, pa marrë përsipër angazhime financiare.
Megjithatë, Rama tha se shteti ndërhyri me një mbështetje prej 4 milionë eurosh për të shmangur anulimin e koncertit, duke theksuar se kjo shumë është shumë larg shifrës prej 50 milionë eurosh të përfolur në publik.
Kryeministri shqiptar kritikoi personat që kanë shpërndarë këto akuza, duke i akuzuar për dezinformim dhe manipulim të opinionit publik, si dhe kritikoi kundërshtarët politikë për mënyrën se si kanë trajtuar këtë çështje.
Reagimi i plotë i Ramës
“Përshëndetje nga unë!”
“Dështakzemërakët e bashkuar, për ta kthyer në kos për urinë e tyre për pushtet e për lavdi, rrjedhën e pastër të ujit të protestës së flamingove, i janë turrur deri edhe koncertit unikal të Kanye West.
Ish-a që u larguan nga detyra të larta me shumë zemërim e pa lavdi; humbësa që hynë në zgjedhje si zgalema e dolën nga zgjedhjet si kalastrena; turlilloj foltoristash të rizhgënjyer, pëdëistash të rigënjyer, arqimarksistash të rrjetëzuar, islamistash të tiktokëzuar, shkelës ligji të frymëzuar, janë bërë bashkë si një kor i zi i protestës dhe nuk ndalen në ndotjen e kanaleve sociale, me shpifje, falsifikime, manipulime, sharje pa pushim, urrejtje për të ushqyer urrejtje, verbëri për të ushqyer verbëri, ndaj kujtdo që e shikojnë si pengesë të gjithçkaje që i pengon ta shikojnë veten në një karrige.
Ja ku janë, 50 milionë eurot që paska dhënë ministri ynë për një natë koncert, ndërsa spitalet s’paskan ilaçe.
A e dëgjuat!
Një gënjeshtër me bisht, me bisht akrepi madje, e sajuar për të pickuar e për të helmuar mendjen e kujtdo që përjeton me konfuzion këtë çorodi. “Ja ku janë 50 milionë eurot… vetëm për një natë koncert!”, thotë ai.
Librat e shenjtë na mësojnë prej mijëra vitesh se shpifësi është më i keq se vrasësi. Kurani e dënon kaq rëndë shpifjen, sepse shpifja nuk vret vetëm një njeri; ajo minon vetë themelet e besimit mes njerëzve. Fjala është amanet, fjala nuk mund të bëhet lanet dhe shpifësi e bën lanet, sepse shpifësi nuk ndërton asgjë, por jeton për të rrënuar atë që ndërtojnë të tjerët. Shpifësi e përbuz të vërtetën, sepse ai gërrmon vetëm në kërkim të gropës ku të ekzekutojë dënimin pa gjyq.
Punon për diskreditimin, shkatërrimin, përbaltjen dhe asgjësimin moral të të tjerëve.
“50 milionë euro ka dhënë shteti për Kenin e Nestit”, shkruan ky humorist pa din e pa iman nën video-shpifjen e tij.
Ndërkohë, koncerti i Kanye West është një ngjarje botërore, i cili do të financohet tërësisht nga sponsorët dhe shitja e biletave, sikur soji i këtij karagjozi të mos i kishte mbushur faqet sociale me glasat e apeleve për bojkotimin e koncertit, për transformimin e koncertit në protestë, duke i trembur dashamirët e muzikës së Kanye Westit dhe faktikisht duke dekurajuar shitjen e biletave të koncertit madhështor.
Po si është e vërteta?
E vërteta është si gjithnjë e thjeshtë dhe e ilustrueshme me dokumente.
Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar, përveç mikpritjes sigurisht, siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar!
Por si i bëhet kur je i detyruar “in extremis”, të ndërhysh siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë, në radhë të parë para atyre dhjetëra mijëra blerësve të huaj të biletave, të cilët janë më shumë sesa tifozët e huaj që erdhën në Tiranë për finalen e Conference League.
