Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish për koncertin e artistit Kanye West që do të mbahet këtë të shtunë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një ngjarje me rëndësi për promovimin ndërkombëtar të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje nga skena e përgatitur për koncertin, duke shkruar se “stadiumi i koncertit është gati” dhe se kjo ngjarje do ta vendosë Shqipërinë në një tjetër hartë globale.
Kreu i qeverisë ka komentuar edhe kritikat për fondin prej 4 milionë eurosh të ndarë për organizimin e koncertit përmes një akti normativ, duke thënë se kjo shumë nuk duhet parë si shpenzim vetëm për një mbrëmje.
