Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Evropa mbetet projekti më i madh i paqes, bashkëjetesës dhe lirisë në historinë moderne, duke theksuar se ideja evropiane lindi mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore për të ndërtuar një kontinent pa konflikte dhe ndarje.
Gjatë aktivitetit të organizuar në Tiranë për shënimin e Ditës së Evropës, ku mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Rama tha se ndërtimi i një Evrope pa kufij dhe pa armiqësi mes popujve kërkoi vizion dhe besim të jashtëzakonshëm.
“Europa u ndërtua mbi një det gjaku pas Luftës së Dytë Botërore, por arriti të krijojë një hapësirë ku popujt nuk jetojnë më kundër njëri-tjetrit, por bashkë me njëri-tjetrin”, u shpreh Rama.
Sipas tij, 9 Maji nuk simbolizon vetëm krijimin e Bashkimit Evropian, por vetë Evropën si hapësirë të lirisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor.
Kryeministri shqiptar paralajmëroi se Evropa dhe bota po përballen me sfida të vështira, por shtoi se historia evropiane tregon qartë se izolimi, frika dhe pesimizmi nuk janë zgjidhje.
