Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ishte ndër të parët që votoi sot në Pejë, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të marrin pjesë në këtë proces demokratik.
“Në këtë qendër të votimit sot votohet për zgjedhjet parlamentare. Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’i ftoj të gjithë qytetarët të votojnë. Nga ana e KQZ-së, të gjitha përgatitjet janë bërë, përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave që kemi pasur. Kemi arritur që procesi të përfundojë në kohë. Dje u zhvillua votimi në diasporë, i cili sipas njoftimeve ka shkuar shumë mirë dhe ka qenë proces i qetë. Qendra në Uashington, Toronto dhe Otavë u mbyllën gjatë natës. Uroj të jetë një ditë e qetë dhe që i tërë procesi të mos ketë asnjë problem”, tha Radoniqi.
