Qytetarët e Kosovës do të detyrohen t’u drejtohen kutive të votimit sërish. Kjo meqë Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë Presidentin e ri edhe pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese që përfundoi të martën në mesnatë. Tashmë, Kosova ka hyrë në afatin e ri prej 45 ditësh për organizimin e zgjedhjeve.
Ushtrueses së detyrës së Presidentes, njëherit Kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, tani i mbetet t’i ftoj partitë në takim për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Ajo mbrëmë tha se kjo do të ndodhë brenda afateve kushtetuese.
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se Albulena Haxhiu ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në. Ai ka shpjeguar se megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve, nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori.
“Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit. Megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori”, ka thënë Cakolli.
