Ditë më parë, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit, njoftoi për fillimin e diskutimeve me Ministrinë e Bujqësisë, të cilat edhe e shtynë këtë të fundit që të vazhdojë me grumbullimin e qumështit. Për të kuptuar më shumë për situatën aktuale në industrinë e qumështit, dhe, procesin e këtyre diskutimeve, Gazeta Express ka kontaktuar me përfaqësues të tyre. Ata thonë se në negociatat mes tyre ka pasur pak progres por kanë kërkuar lëvizje më të shpejta pasi çdo vonesë po u shkakton vonesa kompanive vendore.
Alajdin Fusha nga kompania ABI tha se komisioni i paralajmëruar ana e Ministrisë tashmë është krijuar sikurse edhe disa ekipe të inspektorëve që do të merren me autorizimin e fabrikave përpunuese, proces i cili do fillojë më ‘’së largu të premten’’.
‘‘Po. Në takimet dhe komunikimet e fundit kemi pasur katër kërkesa konkrete, për të cilat situata aktuale është kjo: E para, finalizimi i Check-listës për autorizim. Check-lista tashmë është finalizuar. Edhe Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës SHIQK ka dhënë komentet dhe propozimet e veta profesionale gjatë këtij procesi” ka thënë Fusha.
“Tash presim aprovimin përfundimtar nga AUV, në mënyrë që inspektorët të mund ta përdorin atë si bazë për procedurat e autorizimit të operatorëve që kanë aplikuar. E dyta, fillimi i inspektimeve dhe procedurave të autorizimit. Ky proces ende nuk ka filluar në terren. Megjithatë, sipas komunikimit të fundit që kemi pasur me Ministrin Muja dhe drejtuesen e AUV-së, është formuar komisioni përkatës dhe është caktuar edhe kryesuesi i tij brenda AUV-së” ka shtuar ai.
Tutjee Fusha ka thënë se po ashtu janë informuar se janë formuar disa ekipe të inspektorëve që do të merren me autorizimin e fabrikave përpunuese.
“Sipas zotimit që kemi marrë, procesi duhet të fillojë më së largu deri të premten. Aktualisht janë shtatë përpunues që kanë paraqitur kërkesa për autorizim, prandaj presim që procedura të zhvillohet me urgjencë dhe, sa është e mundur, në mënyrë të koordinuar, në mënyrë që operatorët që i plotësojnë kushtet të mund të rifillojnë prodhimin në një kohë sa më të përafërt. E treta, shqyrtimi me prioritet i ankesave individuale të kompanive. Kjo pikë është realizuar. Ankesat janë trajtuar me prioritet, praktikisht brenda 24 orëve, dhe si rezultat është mundësuar rifillimi i eksportit për produktet përkatëse. E katërta, bashkëpunimi Ministri–AUV–industri. Edhe ky mekanizëm bashkëpunimi është vendosur dhe komunikimi ka vazhduar. Në këtë fazë, çështja kryesore që ka mbetur është që procesi administrativ të kalojë në veprim konkret dhe ekipet e inspektimit të dalin në terren për autorizimin e operatorëve’’, ka thënë ai.
Më tej, Fusha, i pyetur për dakordimet që kanë arritur gjatë negociatave me ministrinë, tha se ka pasur ‘’progres të dukshëm në disa pika’’, porse, shtoi ai, ‘’çdo ditë pa zgjidhje konkrete nënkupton humbje të tregut’’.
“Megjithatë, për industrinë rezultati real do të jetë atëherë kur inspektimet të fillojnë në terren dhe të lëshohen autorizimet, sepse çdo ditë vonesë po shkakton humbje të reja për kompanitë vendore. Dua ta them hapur se durimi dhe kapacitetet financiare të përpunuesve po shterojnë. Çdo ditë pa zgjidhje konkrete nënkupton humbje të tregut, kosto shtesë dhe pasiguri për vazhdimësinë e prodhimit. Në të njëjtën kohë, tregu nuk ka mbetur bosh. Hapësira e krijuar pas largimit të produkteve analoge vendore nga raftet po plotësohet gjithnjë e më shumë me produkte të importuara. Sipas informatave nga operatorët tanë, tashmë po importohen edhe produkte shumë të ngjashme me ato që janë prodhuar tradicionalisht në Kosovë, në disa raste me prezantim dhe pozicionim tregtar shumë të përafërt. Kjo krijon një pyetje shumë të thjeshtë dhe shumë të rëndësishme: Nëse një produkt analog, i deklaruar dhe i etiketuar sipas kërkesave ligjore, mund të importohet dhe të shitet në Kosovë, atëherë duhet të ekzistojë edhe një procedurë funksionale dhe e arritshme që të njëjtin produkt ta prodhojë një operator vendor që i plotëson kushtet ligjore”, ka thënë ai.
Sipas Fushës, Ministri Muja ka thënë se institucionet do të merren edhe me aspektin e produkteve të importuara, “mirëpo deri më tani nuk kemi marrë informata më të hollësishme se në çfarë forme dhe me çfarë procedure do të trajtohet kjo çështje’’.
I pyetur se apo lejohet prodhimi i produkteve që përmbajnë vaj palme, Fusha theksoi se, për operatorët vendorë që janë në procedurë autorizimi, prodhimi ende nuk ka rifilluar në mënyrë të plotë, sepse po pritet fillimi i inspektimeve dhe përfundimi i procedurës së autorizimit.
‘’Për operatorët vendorë që janë në procedurë autorizimi, prodhimi ende nuk ka rifilluar në mënyrë të plotë, sepse po pritet fillimi i inspektimeve dhe përfundimi i procedurës së autorizimit. Megjithatë, bazuar në informacionet dhe zotimet që kemi marrë nga Ministri dhe AUV, presim që procesi të fillojë shumë shpejt. Komisioni është formuar dhe, sipas asaj që na është komunikuar, ky komision do të ketë si detyrë prioritare përfundimin e këtij procesi”ka thënë ai.
Sipas Fushës, kjo kategori produktesh është prodhuar në Kosovë prej dekadash.
“Për aq sa kemi dijeni, situata aktuale nuk është krijuar si rezultat i ndonjë rreziku të ri të konstatuar për shëndetin e konsumatorëve, por para së gjithash lidhet me procedurën e autorizimit, organizimin e procesit të prodhimit, deklarimin dhe përmbushjen e kërkesave administrative dhe teknike” ka potencuar Fusha.
Tutje ai ka thënë se SHIQK nuk kërkon tolerim të deklarimit të rremë, mashtrimit të konsumatorit apo shmangie të standardeve të sigurisë ushqimore, por përkundrazi, se kërkojmë që çdo produkt të deklarohet saktë, çdo operator të kontrollohet dhe të gjithë të trajtohen sipas të njëjtave kritere.

