Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e pronësisë së hapësirave në oborrin e saj dhe së shpejti pritet të nisë lirimi i pronave publike nga uzurpimet, përfshirë edhe rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje.
Sipas njoftimit të QKUK-së, komisioni i posaçëm, i formuar në mars të këtij viti, ka realizuar verifikimin e gjendjes pronësore në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës.
Procesi është zhvilluar përmes analizimit të ortofotove dhe planeve kadastrale, ndërsa të dhënat zyrtare kanë dëshmuar se brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private.
Në kuadër të këtij procesi, QKUK-ja u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave, duke u kërkuar që të dëshmojnë bazën ligjore për shfrytëzimin e hapësirave.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti ndodhet në proces të legalizimit. Ndër dokumentet e dorëzuara janë evidentuar kontrata të skaduara dhe aktvendime që nuk janë të regjistruara në kadastër.
Konstatimet e QKUK-së janë mbështetur edhe nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të zhvilluara ditëve të fundit ka verifikuar gjendjen në terren.
Pas konfirmimeve nga kadastri dhe rekomandimeve të Inspektoratit Komunal dhe atij të MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së ka bërë të ditur se tashmë i ka në dispozicion instrumentet e nevojshme ligjore për të ndërmarrë veprimet për lirimin e hapësirave.
Përmes këtij aksioni, synohet që hapësirat publike të uzurpuara prej vitesh t’u kthehen qytetarëve dhe pacientëve që marrin shërbime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.