Pavarësisht që punuan më shumë se orari i punës për çka kanë nënshkruar kontratë, doktorët e infermierët në QKUK morën pagë vetëm për ato orë.
Përveç 8 orëve të rregullta të punës, doktorët e infermierët në këtë institucion punuan edhe më gjatë duke mbajtur kujdestari. Por, pavarësisht lodhjeve të orëve shtesë, në gjirollogaritë e tyre bankare kanë dal vetëm rrogat bazë.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur këtë muaj për herë të parë, këto orë shtesë mantilbardhëve nuk iu janë paguar as në muajin shkurt ndërsa në disa klinika as në muajin mars.
Këto informacione të siguruara nga lajmi.net janë konfirmuar edhe nga zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.
“Ju njoftojmë se aktualisht, për shkak të kufizimeve në alokimet e parakohshme buxhetore, pagesën e kujdestarive dhe shtesave në page nuk janë realizuar për stafin e klinikave të QKUK-së. Ndërsa shumica stafit të klinikave kanë arritur të realizojnë pagesat për muajin janar, për muajin shkurt ende nuk janë ekzekutuar pagesat për kujdestari në nivel të tërë QKUK-së”, ka thënë Qyqalla për lajmi.net.
Ajo ka thënë se menaxhmenti i QKUK-së është në komunikim të vazhdueshëm me Thesarin e Kosovës dhe ka dorëzuar të gjitha kërkesat e nevojshme për alokime shtesë buxhetore.
“Pra menaxhmenti është duke vazhduar angazhimin intensiv dhe koordinimin me institucionet përkatëse për të siguruar mbështetje financiare sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjitha njësitë organizative të QKUK-së janë informuar që ta mbajnë stafin të njoftuar deri në rishikimin e buxhetit, sipas rekomandimeve te Thesarit”, ka thënë Qyqalla për lajmi.net.
Në lidhje me këtë situata, ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, e cila e ka cilësuar si të papranueshme dhe neglizhencë institucionale mos pagesën e kujdestarive.

