Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e nga 100 eurove për studentët, pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos “Inflacioni 2.0”.
Në një konferencë për media, Azemi tha se punëtorët e sektorit privat janë diskriminuar në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se dallimi në mbështetje financiare është i madh dhe i padrejtë.
“Sot këtë konferencë për shtyp e kemi sjellur lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pakon e Inflacionit 2.0. Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, deklaroi Azemi.
Ai tha se derisa punëtorët e sektorit publik kanë përfituar paga të 13-ta në vlerë prej rreth 65 milionë eurosh, sektori privat sipas tij do të përfitojë vetëm rreth 20 milionë euro në total.
“Punëtorët e sektorit publik morën rreth 65 milionë euro, përderisa për punëtorët e sektorit privat, në bazë të një llogaritmi që unë e kam bërë, diku do t’i kushtojë kjo pako rreth 20 milionë euro. Punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, tha ai.
Sipas Azemit, diskriminimi thellohet edhe më shumë me kriteret e vendosura për përfitim.
“Në një farë forme degradimi tjetër është që na e kanë bërë, sepse punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse tek punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, u shpreh Azemi.
