Kanë kaluar më shumë se 10 vjet prej kur u miratua Ligji për Veteranët e i cili ndër të tjera parashihte edhe themelimin e Qendrës Posttraumatike.
Por, për këtë të fundit ndër vite s’u mor asnjë hapë.
Kësisoj, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social bashkë me GLPS-në, ka dorëzuar tek Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, kërkesën për themelimin e kësaj qendre.
“Fakti që kanë kaluar mbi 10 vjet dhe nuk ka pasur asnjë inicativë as nga Ministria e Shëndetësisë e as nga Mirëqenia Sociale që janë të përfshira si përgjegjëse në këtë ligj na ka shty neve që tash me ju drejtu kuvendit, komisioni përkatës që ato me i kërku llogaridhënie këtyre ministrive”, ka deklaruar Bind Skeja, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.
Skeja pati një paralajmërim nëse kërkesa nuk shqyrtohet.
“Unë nuk e besoj që ka ndonjë arsye që Ministria e Shëndetësisë apo e Punës me refuzu e vetmja që mundet me ndodh është se munden me zhagit si proces por ne bashkë me GLPS-së kemi me i qëndru afër edhe nëse Kuvendi nuk e trajton me seriozitet atëherë do t’i shohim rrugët tjera ligjore”, ka theksuar ai për RTVDukagjini.
