Sindikatë e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar se u ka dërguar letra zyrtare disa prej institucioneve më të larta evropiane, duke përfshirë Roberta Metsola, Kryetare e Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, dhe Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Në këto komunikime, sindikata ka paraqitur situatën e rënduar financiare në RTK, ku punonjësit ende nuk kanë marrë pagat, ndonëse institucioni po i afrohet muajit dhjetor. Sipas sindikatës, ky është një zhvillim tejet shqetësues që përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe të punës, duke vënë në rrezik mirëqenien ekonomike të qindra familjeve.
“Paga është një e drejtë themelore, e garantuar nga ligjet vendore dhe standardet evropiane,” ka theksuar sindikata, duke kërkuar masa urgjente nga institucionet e Kosovës për të zgjidhur krizën.
