Teksa disa në Kosovë shprehën pakënaqësi me vendimin e panelit gjyqësor të Dhomave të Specializuara në Hagë për ta shtyrë për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – ekspertë të drejtësisë ndërkombëtare thonë se shtyrja është e zakonshme për një çështje të kësaj shkalle.
Në Kosovë ndiejnë se një proces gjyqësor – i cili nisi para gjashtë vjetëve me arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi – po zvarritet “panevojshëm” dhe po “zbeh” besimin e tyre në drejtësi.
Aktgjykimi pritej të shpallej në mesin e këtij muaji, rreth tre muaj pas përfundimit të gjyqit në shkurt. Dhe, vendimi për shtyrjen e tij përtej 20 korrikut, u cilësua si “i paarsyeshëm”.
Gjykata – e cila formalisht është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë – u arsyetua se shtyrja erdhi për shkak të “kompleksitetit të rastit” pa dhënë më shumë shpjegime.
Kompleksiteti i çështjes
Dy ekspertë të huaj të drejtësisë ndërkombëtare – Mathias Holvoet dhe Iva Vukushiq – thonë për Radion Evropa e Lirë se janë disa faktorë që e kanë shtyrë panelin gjyqësor ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit edhe për të paktën dy muaj: numri i të pandehurve, volumi i provave dhe numri i lartë i dëshmitarëve.
“Një arsye e zakonshme është sasia e provave, e cila mund të arrijë në dhjetëra mijëra materiale, numri i madh i faqeve dhe vështirësia e argumenteve (kompleksiteti juridik, që kërkon shumë hulumtim dhe diskutim nga hartuesit e aktgjykimit)”, thotë Vukushiq, historiania nga Universiteti i Utrehtit në Holandë dhe njohësja e proceseve gjyqësore për krimet e kryera në ish-Jugosllavi.
Vukushiq – me prejardhje nga Kroacia e cila e ka studiuar thellësisht procesin e Tribunalit të Hagës – thekson se numri i të akuzuarve gjithashtu e rrit ngarkesën e punës së panelit gjyqësor.
Që të gjithë të pandehurit i kanë ekipet e veta mbrojtëse dhe kjo, sipas Vukushiqit, shton sasinë e punës për gjykatësit, sepse “secili mund të paraqesë argumente të ndryshme ose, ndonjëherë, edhe të përpiqet të zhvendosë fajin te dikush tjetër”.
Thaci, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.
Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.
Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.
Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan në këtë gjyq, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë.
Mathias Holvoet, ligjërues i së drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, thotë se ky rast gjyqësor është “kompleks, nuk ka dyshim për këtë”, prandaj edhe vjen një shtyrje e tillë.
“Mendoj se është kompleks, para së gjithash, sepse keni të bëni me katër të pandehur. Pra, nuk është vetëm një për të cilin duhet të merret vendimi, janë katër. Pra, kjo e bën të ndërlikuar”, vë në pah Holvoet.
Çfarë reagimesh kishte?
Reagime kishte nga partia më e madhe opozitare në vend e deri të kryeministri në detyrë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – ndër themeluesit e të cilës ishte ish-presidenti Thaçi – tha se shtyrja ishte “goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së”.
