Gati 300 persona u mblodhën në Paris të dielën për të kërkuar që një shqiptar aktivist antifashist të mos ekstradohet në Gjermani. Rexhino Abazaj i njohur si “Gino” kërkohet nga autoritete gjermane për përfshirje në një rast dhune kundër një parade të neonazistëve në Hungari.
Abazaj është një aktivist shqiptar “antifa”, por ekstradimi i tij në Gjermani u urdhërua nga gjykatat franceze në mesin e gushtit. Më herët gjykatat franceze kishin refuzuar ta dorëzonin atë në Hungari me arsyetimin e rrezikut të të drejtave të tij themelore.
Shqiptari në 30-at, i cili e ka apeluar vendimin, akuzohet nga Hungaria për dhunë kundër neonazistëve që marshuan në Budapest në shkurt të vitit 2023, të cilët u sulmuan me shkopinj gome dhe çekiçë. Ai përballet me një dënim deri në 24 vjet burg në Hungari dhe deri në 10 vjet në Gjermani, pasi disa nga viktimat e supozuar të dhunuar janë shtetas gjermanë.
“Unë jam viktimë e persekutimit politik”, si pjesë e një lëvizjeje për të “ndjekur antifashizmin në të gjithë Evropën”, – tha “Gino” për AFP në një tubim në verilindje të Parisit të thirrur nga një komitet mbështetës.
Aktivisti që kërcënohet me ekstradim e përshkroi si “stresuese” pritjen për seancën e apelit, gjatë së cilës ai synon të “mbrojë argumentet e tij”.

