Në rrugën Gjakovë–Dollc, një aksion simbolik i pazakontë tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të dielën.
Protestuesi Ideal Zhaveli vendosi një tortë pranë punimeve të rrugës, me mbishkrimin “Urime 7 vjet”, duke ironizuar zvarritjen e gjatë të projektit që ende nuk ka përfunduar.
Krahas tortës, ai kishte vendosur edhe një balonë me numrin 7 në një tabelë komunikacioni, si simbol i shtatë vjetëve që nga nisja e ndërtimit të kësaj rruge, e cila lidh qytetin e Gjakovës me zonën e Dollcit dhe shërben si segment i rëndësishëm i qarkullimit drejt Prishtinës.
Projekti ishte paralajmëruar se do të përfundonte në vitin 2024, por edhe në mars të vitit 2026 punimet vazhdojnë dhe fundi i tyre ende nuk duket. Përmes këtij aksioni simbolik, Zhaveli synoi të rikthejë në vëmendje vonesat dhe pakënaqësinë e qytetarëve për gjendjen e rrugës.
KosovaPress kontaktoi me Ideal Zhavelin dhe sipas tij gjatë viteve ka pasur disa reagime dhe premtime nga institucionet lidhur me përfundimin e rrugës Gjakovë–Dollc, por afatet e paralajmëruara nuk janë realizuar. Ai tha se fillimisht ishte premtuar përfundimi i projektit në vitin 2024, më pas ishte përmendur edhe viti 2025, ndërsa tashmë jemi në vitin 2026 dhe punimet ende nuk kanë përfunduar.
“Sot bëhen 7 vjet prej kur ka filluar ndërtimi i rrugës Gjakovë–Dollc, apo pjesa që përdoret për rrugën Gjakovë–Prishtinë. Nëse e shohim gjendjen e sotme, ajo është në një gjendje të tmerrshme dhe nuk mund t’i bësh as 5 kilometra pa hasur dëmtime rrugore, madje dëmtime shumë serioze. Rruga nuk ka arritur të përfundojë, pavarësisht se në momentin kur është prerë shiriti është thënë se do të përfundonte për 5 vjet, ndërsa tani janë bërë 7 vjet dhe ende nuk ka përfunduar, madje as nuk i shihet fundi momentalisht”, u shpreh Zhaveli.
