Gjersa sot po mbahej protesta në Tiranë në përkrahje të ish-ushtarëve të UÇK-së, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndodhej në Holandë, ku mori pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES), që po mbahet në Amsterdam.
Në këtë kongres, Lëvizja Vetëvendosje ngriti statusin e saj në PES, duke u bërë parti e asociuar në këtë organizatë politike evropiane statusi më i lartë që një parti nga një shtet joanëtar i BE-së mund të ketë në një familje politike evropiane.
Kurti, në fjalimin e tij para delegatëve, falënderoi udhëheqësit e PES-it për pranimin e Vetëvendosjes dhe theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane të demokracisë, drejtësisë dhe solidaritetit. Ai kërkoi gjithashtu që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe t’i dorëzojë Komisionit Evropian pyetësorin për anëtarësim, si hap drejt statusit të vendit kandidat.
