Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj kryetarit të Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli.
Burime të “ Betimi për Drejtësi ” brenda kësaj Prokurorie, kanë treguar se hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Ushtrim i ndikimit”.
Provat lidhur me këtë rast vënë në pah prapaskenat e diskutimit në mes të Mahir Tutulit me djalin e axhës së tij, Fadil Tutuli, të cilat ngrisin dyshimet të arsyeshme për ushtrim ndikimi nga i pari i Komerciales në dy raste penale në të cilat ishte i përfshirë Fadil Tutuli, njëherë si viktimë e më pas edhe si i dyshuar.
Bazuar në bisedën e zhvilluar në platformën Viber, platformë kjo që kishte qenë e hapur edhe në tabletin e djalit të Fadil Tutulit, rezulton se ky i fundit më 29 korrik 2025, pasi e kishte denoncuar rastin për dhunën e ushtruar nga vëllai i bashkëshortes me shokun e tij, kishte kërkuar “ndihmën” e Mahir Tutulit.
Kryetari Tutuli kishte shprehur interesimin rreth emrit të hetuesit policor që i ishte përgjigjur rastit, Agron Hoti. Më pas, Fadil Tutuli i kishte dërguar numrin e kontaktit dhe kishte kërkuar që hetuesi Hoti të telefonohej nga një person me emrin apo shkurtesën “Zena”.
“ Mahir Tutuli: Fadil a erdhën?
Fadil Qysh e ja emrin vllau i vete?
Fadil Tutuli: BB.
Mahir Tutuli: Ok.
Fadil e u key me Polici?
Fadil Tutuli: Policia është në shtëpi.
