Prokuroria Speciale ka kërkuar dënim maksimal – burgim të përjetshëm – për të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjskë, duke e cilësuar si të vetmin dënim proporcional me peshën e veprës penale .
Prokurori i rastit, Naim Abazi, në fjalën përfundimtare tha se në raste të tilla mesazhi juridik duhet të jetë i qartë dhe i prerë.
“Në një rast si ky, ku kemi të bëjmë me një sulm të armatosur kundër Policisë së Republikës së Kosovës dhe kundër rendit kushtetues, mesazhi juridik duhet të jetë i qartë, i prerë dhe i padiskutueshëm. Sulmet e organizuara dhe të armatosura kundër institucioneve shtetërore nuk tolerohen dhe dënohen me ashpërsinë më të lartë të paraparë me ligj. Nëse në një rast me këto përmasa, me këtë shkallë të organizimit dhe me këtë pasojë fatale nuk aplikohet dënimi maksimal, atëherë dëmtohet ndjeshëm efekti parandalues i ligjit penal dhe krijohet perceptimi i rrezikshëm i relativizimit të cenimit të rendit kushtetues.
Në aspektin e proporcionalitetit, duke marrë parasysh natyrën terroriste të veprës, pasojën fatale të shkaktuar, rrezikshmërinë e lartë shoqërore të operacionit, organizimin para-ushtarak të strukturuar, cenimin e drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe mungesën e rrethanave lehtësuese relevante, prokuroria vlerëson se dënimi i vetëm proporcional dhe në përputhje me peshën e veprave penale është burgimi i përjetshëm”, tha ai.
