Për mbi 1 vit e gjysmë, Hashim Thaçi është nën regjim vizitash në paraburgim.
Kufizimi i takimeve me familjen e ngushtë, apo lejimi i vetëm 5 takime në muaj me miq e të afërm tjerë, nuk po i mjafton Prokurorisë. Madje as përgjimi 24/7 me përkthyes shqiptar.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish presidentit t’i ndalohen krejtësisht vizitat me tre vëllezërit, Gani, Nazmi dhe Blerim Thaçi.
Siç mëson Klan Kosova, këta janë përfshirë në një listë me 14 emra që po synohen t’i zhduken përkohësisht nga jeta e Thaçit, deri në përfundim të gjykimeve, edhe për krime lufte edhe për pengim të drejtësisë. “Edhe pse janë vendosur masa të caktuara për ta minimizuar rrezikun e pengimit, ZPS ka mësuar përmes burimeve publike se disa vizitorë që përbëjnë shqetësim, vazhdojnë ta vizitojnë Thaçin në Qendrën e Paraburgimit. Për të qenë të sigurt, rreziku që Thaçi të përcjellë mesazhe të palejuara dhe udhëzime gjatë vizitave jo të privilegjuara nuk mund të eliminohet kurrë krejtësisht, as në Qendrën e Paraburgimit. Kjo është vërtetuar përmes shfaqjes së Hashim Thaçit në një thirrje me video te një i akuzuar tjetër, në shkurt 2025” – thuhet në kërkesën e ZPS që e ka parë Klan Kosova.
Fakti që prokurorisë i ka rënë në mend tek tash për videolidhjen ku Thaçi shihet me Haxhi Shalën, dhe nuk ka kërkuar më herët masa, sipas mbrojtjes, është krejt e paarsyeshme.
Avokatja Sophie Menegon, nuk ka gjetur në kërkesën e prokurorisë asnjë fakt të ri apo shkelje të klientit të saj ndryshe nga masat e vendosura në nëntor 2023. E veçon faktin se vetëm 5 nga 14 emrat e listës, përfshirë vëllezërit, e kanë vizituar Thaçin pas vendosjes së këtyre masave. Njëri nga dy tjerët, në Sheveningen diskuton gjëra të përgjithshme.