Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari kanë takuar zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i shoqëruar nga kolonelë Florie Hajra nga Departamenti i hetimeve nga Policia e Kosovës dhe nga drejtori i departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Në këtë takim u diskutua lidhur me planifikimin, vlerësimin dhe angazhimin e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi se tashmë janë të caktuar ekipet kujdestare nga prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti theksoi se edhe Policia e Kosovës ka caktuar ekipet kujdestare policore, të cilët do të kujdesen të ofrojnë siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor.
Gjatë këtij takimi u potencua se Prokuroi i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale.
