Në gusht të vitit 2019 Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar letër- rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit. Konfirmimin për letër- rreshtimin në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish-ministri i Drejtësisë, në atë kohë, Abelard Tahiri.
Kryeprokurori Blerim Isufaj tha se deklaratat e tij të mëhershme lidhur me këtë çështje mund të kenë krijuar paqartësi, por tani vendosi të sqarojë gjithçka për publikun.
“Në konferencë të cilën e pata mbajtur kohë më parë, pata deklaruar se për këtë çështje nuk mund të shpalosi detaje. Unë jam i vetëdijshëm se kjo deklaratë ka mujt me shkaktu konfuzion, keqinterpretim.” – tha Isufaj.
Ai sqaroi se procedura ishte zhvilluar nga prokurori i çështjes Burim Qerkini dhe se ai ishte informuar si kryeprokuror, bashkë me kryeprokurorin e atëhershëm të shtetit dhe disa prokurorë të tjerë.
“Mos harro, po e përsëris – e kam thanë se nuk mund të ndaj detaje me publikun. Ato detaje po i shpalosi këtu. Procedurën e ka zhvilluar prokurori i çështjes, sikurse në çdo rast tjetër. Prokurorët janë të pavarur për punën e tyre në zhvillimin e procedurës. Për këtë proces, kam qenë i informuar si kryeprokuror. Përveç meje ka qenë kryeprokurori i shtetit dhe disa prokurorë të zyrës time. Kjo do të thotë se kjo çështje në asnjë mënyrë nuk është ba që si të themi në mënyrë sekrete” – shtoi ai.
Isufaj zbuloi prapaskenat e një takimi ndërmjet prokurorit të çështjes, Burim Qerkini dhe avokatit të Radoiçiqit. Radoiçiq i kishte premtuar PSRK-së se do të jepte informacione kredibile për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në mënyrë qe urdhër-arresti ndaj tij të hiqej.
“Në një moment, prokurori i çështjes (Burim Qerkini) ka ardhë në zyrën time dhe më ka njoftu për një takim që ai kishte pasur me avokatin e Milan Radoiçiqit. Si ma interpretoi prokurori mua, ishte kështu situata – avokati i Radoiçiqit i kishte thënë prokurorit se Radoiçiqi po jep sinjale bashkëpunimi dhe nëse pranoni me ja hjek urdhërarrestin, ai do të jap informacione që janë shumë kredibile për vrasjen e Oliver Ivanoviqit” – tha kryeprokurori.
Ai theksoi se në atë kohë nuk kishte shumë informacion për rolin e Radoiçiqit dhe nuk kishte pranuar “ofertën” për heqjen e urdhër-arrestit.
“Të jeni të sigurt, unë në atë kohë nuk kam pasur shumë informacione kush është Radoiçiqi. E kam ditur që është i akuzuar si bashkëkryerës në kryerje të veprës penale të Oliver Ivanoviqit, por nuk kam ditur më shumë. Ju e dini që ka pasur tentime me u arrestu disa herë nga Policia por nuk ka mundur. Në momentin kur ma tha këtë prokurori i çështjes, unë kam qenë i qartë, i kam thanë jo. Pse i kam thanë jo? Nuk është se unë s’kam dashur ta pranoj një ofertë të tillë, nuk është se unë nuk kam dashur të siguroj informacionet që pretendohej se ishin shumë relevante për çështjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit sepse urdhër-arresti ka të bëjë për vrasjen e Ivanoviqit. Nuk u pajtova me prokurorin dhe i thashë vazhdo me procesin kështu si je” – deklaroi Isufaj në KallxoPërnime.
Prokurori Burim Qerkini kishte insistuar, duke sjellë një plan hetimi dhe strategji për marrjen e atij informacioni, që ishte përkrahur edhe nga ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.
“Ndërkohë prokurori i çështjes insistoi dhe mua ma solli një plan hetimi, një strategji për mënyrën se si ai mendon marrjen e atij informacioni. Për të gjitha këto biseda, i informuar dhe në takime ka qenë ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Meqenëse prokurori – e thashë edhe më herët – është i pavarur në mënyrën se si e trajton një rast, se si e siguron një provë, se si e prezanton provën para gjykatës, unë nuk mujta me u ba pengesë me thanë nuk bën në asnjë mënyrë sepse e kisha një instancë më të lartë aty” – sqaroi kryeprokurori.
I pyetur për qëndrimin e ish-kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, Isufaj tha se ai e kishte përkrahur tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit.
“Po, ishte pro kësaj dhe unë i besova sinqeritetit të prokurorit. Isha i bindur dhe jam edhe sot se qëllimi i prokurorit të çështjes nuk ka qenë që të amnistohet Radoiçiqi, përkundrazi qëllimi ka qenë që ai të vihet këtu edhe të ballafaqohet me drejtësinë. Imagjinoje, Kreshnik, sikur ai të vinte në Prokurorinë Speciale, ose e kish dhënë informacionin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ose do të arrestohej sepse e ka pasur statusin e personit të pandehur” – tha Isufaj.