Me afrimin e sezonit veror dhe paralajmërimet për temperatura të larta, Komuna e Prishtinës ka nisur përgatitjet për menaxhimin e situatave të mundshme emergjente, ndërsa Brigada Profesionale e Zjarrfikësve thotë se është në gatishmëri për t’u përballur me rritjen e numrit të zjarreve fushore dhe pyjore.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica për Ekonomia Online tha se përgatitjet kanë nisur më herët se vitet e kaluara, duke marrë parasysh paralajmërimet globale për një verë më të nxehtë.
“Ne si kryeqytet edhe këtë vit kemi filluar shumë më herët përgatitjet për sezonin e verës. Edhe pse ende nuk kemi ndonjë parashikim zyrtar nga Instituti Meteorologjik, paralajmërimet në nivel global tregojnë se mund të kemi temperatura më të larta se vitin e kaluar. Para dy javësh kemi mbajtur takimin e parë të grupit punues për përgatitjet verore, ku kanë marrë pjesë të gjitha institucionet relevante, përfshirë Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, Policinë e Kryeqytetit, Emergjencat Mjekësore dhe drejtoritë komunale. Kemi filluar hartimin e planit operativ duke u bazuar në përvojën e vitit të kaluar, kur u përballëm me një numër të madh zjarresh fushore dhe pyjore”, tha Fushtica.
Ai shtoi se përgatitjet janë bërë në aspektin e personelit, pajisjeve dhe koordinimit institucional, në mënyrë që reagimi të jetë sa më efikas në rast nevoje.
“Shpresojmë që të mos kemi situata të ngjashme me ato të vitit të kaluar, por pavarësisht kësaj ne do të jemi të gatshëm për t’u ofruar ndihmë qytetarëve. Duhet pasur parasysh se gjatë verës kryeqyteti përballet edhe me fluks më të madh të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve nga diaspora, prandaj kapacitetet tona do të jenë të angazhuara maksimalisht”, deklaroi ai.
Fushtica konfirmoi se ekipet mjekësore emergjente do të rikthehen në sheshet e kryeqytetit në periudhat me temperatura ekstreme, ndërsa mbështetje do të ofrojnë edhe zjarrfikësit dhe policia.
“Ekipet e emergjencave mjekësore do të vendosen sipas nevojës në sheshet e kryeqytetit. Po ashtu, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve do të jetë e angazhuar jo vetëm për intervenime, por edhe për shpërndarjen e ujit kur paraqitet nevoja. Policia do të shtojë patrullimet dhe do të krijohen ekipe rezervë. Në këtë proces janë përfshirë edhe Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, kështu që të gjitha kapacitetet që i kemi në dispozicion janë mobilizuar për sezonin veror”, u shpreh ai.
Duke folur për kapacitetet e zjarrfikësve, Fushtica tha se brigada është pajisur me mjete shtesë dhe së shpejti do të ketë në dispozicion edhe një automjet të ri.
“Brigada Profesionale e Zjarrfikësve i ka pajisjet dhe mjetet e nevojshme. Muajin e kaluar kemi pranuar si donacion rreth tetë tonë të produktit Trident, një shkumë speciale për fikjen e zjarreve. Gjithashtu, gjatë kësaj jave pritet të arrijë edhe kamioni i ri sulmues, i blerë nga drejtoria jonë në vlerë prej rreth 350 mijë eurosh. Me këto investime rriten ndjeshëm kapacitetet operative të brigadës”, tha ai.
