Përmes vendimit të 1 qershor 2026, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar si të papranueshme kërkesën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për anulimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supremes, përmes të cilit ishte miratuar kërkesëpadia e IKD-së duke shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së punës së KPM. Gjykata Kushtetuese, mes tjerash, ka konstatuar se pretendimet e KPM-së për shkelje të pavarësisë organizative dhe funksionale të tij, janë pretendime qartazi të pabazuara në Kushtetutë.Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 29 janar 2025 kishte ushtruar padi ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur më 17 janar. Gjithashtu, IKD kërkonte që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.Ndryshe, sa i përket ndryshimit të rregullores, KPM në atë mbledhje ka shtuar një paragraf (2) në nenin 3 të saj, përmes të cilit u mundësua zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së, përderisa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025.
Përmes vendimit të 10 qershorit 2025, Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesëpadinë e IKD-së ndaj KPM-së, duke e shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.Ndërsa, në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 17 dhjetorit 2025, thuhet se pasi Gjykata shqyrtoi me kujdes shkresat e lëndës, pretendimet e palës paditëse, kundërshtime e palës së paditur, provat e administruara gjatë shqyrtimit kryesor, si dhe aktgjykimin relevant të Supremes, vlerësoi se padia e paditësit është e bazuar dhe se vendimi i KPM-së për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, është i kundërligjshëm dhe si i tillë duhet të deklarohet i paligjshëm. Ndërkaq, KPM në Gjykatën Kushtetuese ka kontestuar aktgjykimin e 10 qershorit të vitit 2025, të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku kishte kërkuar që të konstatohej se KPM kishte vepruar në pajtim me Kushtetutën dhe të konfirmohej pavarësia organizative dhe funksionale e saj si institucion i pavarur kushtetues.Pra, objekt i çështjes në Gjykatën Kushtetuese ka qenë vlerësimi i kushtetueshmërisë së këtij aktgjykimi të Supremes, ku KPM kishte pretenduar se të njëjtës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, konkretisht nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mes tjerash, KPM kishte pretenduar se Rregullorja e Punës së KPM-së ishte ndryshuar me qëllim që kryetari i saj të votohej një muaj më herët, me kusht që mandati i kryetarit të zgjedhur, të fillojë pas skadimit të mandatit të kryetarit aktual, në pajtim me praktikën e Gjykatës Kushtetuese.Në këtë kontekst, sipas KPM-së, “Gjykata Supreme, në mungesë të një instance të rregullt për rishikimin e vendimeve të saj (sepse në bazë të Ligjit për Konfliktet Administrative për paditë kundër akteve normative vendos si shkallë e parë dhe e vetme) në mënyrë arbitrare ka vendosur për një çështje të ndjeshme e cila në thelb prek statusin kushtetues të KPM-së, duke vlerësuar se KPM duhet pyetur subjektet e jashtme se si dhe kur mund të zgjedh kryetarin e saj”.
Po ashtu, KPM ka pretenduar se Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh pavarësinë funksionale të këtij institucioni dhe se kishte anashkaluar nenin 6 dhe nenin 10, paragrafi 4 të Ligjit për KPM-në, të cilat sipas saj garantojnë pavarësinë në punën dhe aktivitetet e Komisionit.Sipas KPM-së, këto dispozita ia ndalojnë Komisionit që të kërkojë ose pranojë udhëzime nga jashtë lidhur me aktivitetet dhe detyrat e tij.
KPM po ashtu kishte theksuar se Rregullorja e Punës është akt i brendshëm, i cili rregullon ekskluzivisht mënyrën e funksionimit të brendshëm të anëtarëve të KPM-së dhe Zyrës Ekzekutive.Sipas saj, kjo rregullore nuk është akt normativ nënligjor që prek të drejtat, detyrimet dhe interesat e publikut të gjerë apo të subjekteve mediale që licencohen nga KPM-ja. KPM kishte kundërshtuar edhe qëndrimin e Supremes se kjo rregullore duhej t’i nënshtrohej konsultimit publik.Sipas pretendimeve të saj, publikimi i Rregullores së Punës për konsultim publik, për të marrë sugjerime lidhur me kohën kur KPM mund ta votojë kryetarin, do të ishte në kundërshtim me natyrën e këtij akti si akt i brendshëm. KPM kishte theksuar se rregulloret e brendshme, me theks të veçantë Rregullorja e Punës së KPM-së, asnjëherë nuk janë vënë në dispozicion për konsultim publik që nga hyrja në fuqi e Ligjit për KPM-në në vitin 2012.Po ashtu, KPM kishte pretenduar se Gjykata Supreme nuk e kishte arsyetuar cenimin e interesit publik nga kjo rregullore, duke thënë se një gjë e tillë ishte kërkesë ligjore. Në kërkesë, KPM kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta anulonte Aktgjykimin e Supremes, të konstatohej se KPM kishte vepruar në pajtim me Kushtetutën dhe të konfirmohej pavarësia organizative dhe funksionale e saj si institucion i pavarur kushtetues.Në trajtimin e pretendimeve të KPM-së për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ka vërejtur se parashtruesi i kërkesës kishte pretenduar se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk kishte argumentuar dhe arsyetuar cenimin e interesit publik nga një akt i brendshëm, që sipas KPM-së ishte kërkesë ligjore për shqyrtimin e padisë për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ. Po ashtu, KPM kishte pretenduar se Gjykata Supreme, si vendim i shkallës së parë dhe të vetme, kishte interpretuar në mënyrë arbitrare të drejtën materiale, kur kishte kundërshtuar paragrafin 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së.Sipas vendimit, KPM kishte theksuar se, në këtë rast, ishte ndjekur shembulli i Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese dhe se kjo çështje, sipas saj, prekte statusin kushtetues të KPM-së, duke vlerësuar se KPM duhej të pyeste subjektet e jashtme se si dhe kur mund ta zgjedhë kryetarin e saj. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se fillimisht gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-ë dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti.“Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund ta shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës”, thuhet tutje në këtë vendim. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se pretendimet e KPM-së në këtë pjesë në thelb ndërlidhen me pretendimin se Gjykata Supreme ka interpretuar në mënyrë arbitrare të drejtën materiale, përkatësisht Ligjin për KPM-në.Ndërsa, lidhur me pretendimet se Gjykata Supreme ka interpretuar në mënyrë arbitrare të drejtën materiale, respektivisht Ligjin për KPM-në, në vendim thuhet se Gjykata Kushtetuese ka trajtuar në dritën e standardeve të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
