Në kazermën “Adem Jashari”, dyert sot janë hapur për të gjithë qytetarët të cilët duan të shohin nga afër Ushtrinë e Kosovës.
Në “Ditën e Forcës” presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka theksuar se kjo është një ditë krenarie për të gjithë shqiptarët dhe se ushtria e Kosovës është pasardhëse e denjë dhe krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ajo theksoi se bashkë do të ecet përpara për ta bërë ushtrinë edhe më të fortë.
“Gëzuar ‘Dita e Forcës’, dita e ushtrisë sonë. Sot është ditë krenarie për të gjithë popullin e Kosovës, është ditë krenarie sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e djemve dhe vajzave që vunë themelet e ushtrisë sonë dhe këta djem e vajza që i shihni sot na bëjnë krenarë jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë, në akademi, nëpër vendet e ndryshme të botës ku studiojnë në shtete aleate, por po ashtu edhe në operacione për paqe e stabilitet në vende të ndryshme të botës ku ata shërbejnë krah për krah me aleatët”, tha Osmani.
