Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pritet të vizitojë sot Kosovën në kuadër të turit të tij zyrtar në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai do të zhvillojë një sërë takimesh me drejtuesit më të lartë të institucioneve të vendit, si dhe me përfaqësues të skenës politike.
Në programin e vizitës janë paraparë takime me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Gjithashtu, Costa do të takohet edhe me përfaqësues të partive politike parlamentare.
Vizita zhvillohet në një periudhë të rëndësishme të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Gjatë takimeve pritet të diskutohen tema që lidhen me integrimin evropian të vendit, proceset reformuese, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e zgjerimit të BE-së.
Para nisjes së turit në rajon, Costa deklaroi se qëllimi i vizitave është të konfirmojë mbështetjen dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
