Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipëri, Elisa Spiropali.
Duke falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme, Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri janë vëllazërore dhe njëkohësisht strategjike, të natyrshme e të pazëvendësueshme, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet.
Presidentja Osmani dhe ministrja Spiropali, ndër të tjera diskutuan edhe për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, duke vlerësuar se kjo platformë i afron të dy vendet edhe më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët strategjikë globalë, si dhe rrit profilin e tyre ndërkombëtar dhe rolin si kontribuuese në paqe e siguri globale.
