Nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe Lutfi Haziri, kanë pritur sot në Selinë Qendrore të LDK-së të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Në njoftimin e LDK-së thuhet se gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë situatës së krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar lëndën për interpretim”, thuhet në njoftim.