E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen ndaj SHBA-së gjatë manifestimit “Thank You USA”, të organizuar në Prishtinë me rastin e 4 Korrikut.
Ajo tha se ndihet e privilegjuar që po shënon 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së në Kosovë dhe vlerësoi mikpritjen që ka marrë gjatë shërbimit të saj në vend.
“Jam aq e emocionuar dhe e prekur nga mikpritja që kemi marrë këtë javë, këtë muaj dhe realisht gjatë gjithë kohës sime që kam qenë këtu. Më 28 korrik bëhen dy vjet që kur kam mbërritur në Kosovë dhe ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për mua që të festoj 250-vjetorin e Pavarësisë Amerikane këtu. Mendoj se jam një nga diplomatët më me fat në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara që pata mundësinë ta festoj këtë përvjetor në Kosovë”, tha Prattipati.
